Presidenti kroat: Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur

Presidenti kroat: Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

I pari i shtetit kroat ka pohuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se këtë realitet duhet ta pranojë Serbia, raporton index.hr.

“Serbia duhet të kuptojë dhe të pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar nga disa anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian”, tha Milanoviq.

Ai tha se në samitin e kaluar të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës, ishte i vetmi që u bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, ta njohin Kosovën.

“Por, kjo është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur sepse kanë frikë nga precedentë që përfundimisht, në një moment krize, në një rënie të imunitetit, mund të zbatohen në vendet e tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanoviq.

Presidenti kroat deklaroi se duhet të ndalojmë së përsërituri se Kosova është Serbi, “Nuk është vëlla, është punë e mbyllur”.

Related Articles