Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri të ditur se synon fillimin e një operacioni ushtarak kundër luftëtarëve kurdë të mbështetur nga SHBA-ja në Siri, të cilët Ankaraja i konsideron si terroristë.
Analistët thonë se Turqia beson se është në një pozitë të fortë duke patur parasysh se Uashingtoni kërkon nga Turqia, që të heqë dorë nga pengesat e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Turqia po shton praninë ushtarake në kufi me Sirinë në përgatitje të një operacioni kundër forcave kurde të grupit YPG.
Ankaraja e konsideron grupin YPG si organizatë terroriste të lidhur me kryengritësit e PKK (Partia Punëtore e Kurdistanit) që lufton ndaj Turqisë.
Deri më tani, Turqia ka qenë e përmbajtur, për shkak të bashkëpunimit të forcave amerikane me grupin YPG kundër Shtetit Islamik. Uashingtoni e ka paralajmëruar Ankaranë të mos ndërmarrë ndonjë operacion. Por Turqia duket se sheh një mundësi pasi Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për mbështetjen e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Skype me analistin Sinan Ulgen të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politikës së Jashtme, një institut kërkimor në Stamboll.
“Turqia beson se është në një pozitë të fortë diplomatike, në një kohë kur i kërkohet të hapë dritën jeshile për zgjerimin e NATO-s. Rrjedhimisht, kritikat e mundshme nga Perëndimi do të jenë më të kufizuara”.
Turqia synon, që përmes operacionit ushtarak, të zgjerojë kontrollin e saj në territorin sirian në kufi. Në përpjekje për të minimizuar tensionet me Washingtonin, Turiqa kufizoi shtrirjen e operacioneve për të shmangur zonat ku janë të pranishme forcat amerikane. Operacioni do të përqendrohet në zonat e kontrolluara nga regjimi i Damaskut dhe Rusia, ku vepron grupi YPG.
Analistët paralajmërojnë se ekzistojnë rreziqe të mëdha. Soli Ozel me Universitetin Kadir Has të Stambollit thotë për Zërin e Amerikës se Rusia mund të jetë pengesë për synimet e Ankarasë.
“Padyshim që Damasku nuk do të pranojë, por nuk ka fuqinë e duhur për të kundërshtuar. Por, nëse rusët nuk e lejojnë Turqinë që të përdorë hapësirën ajrore, atëherë do të jetë shumë e kushtueshme për Ankaranë dhe operacioni mund të mos ketë sukses. Përveç kësaj, Irani është kundër çdo ndërhyrje turke dhe rusët kanë qëndrime të ndryshme”.
Ndërsa Erdogani kundërshton sanksionet ndaj Rusisë lidhur me agresionin në Ukrainë, Ankaraja ruan një epërsi ndaj Moskës. Por Rusia gjithashtu ka ndryshuar qëndrim, tashmë duke shprehur shqetësime lidhur me synimet e Turqisë në Siri.
Gjatë bisedimeve të mërkurën në Ankara, kryediplomati rus Sergei Lavrov pritet të përfitojë diçka në shkëmbim të një drite jeshile për operacionin turk në Siri. Analistët thonë se kjo do të shtojë shqetësimet amerikane.
Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Skype me zotin Aaron Stein të Institutit të Kërkimeve të Politikës së Jashtme me qendër në Filadelfia
“Çdo operacion kërcënon me paqëndrueshmëri, por ka të ngjarë të arrihet një kompromis mes Turqisë dhe Rusisë. Jemi në një kohë kur Uashingtoni kërkon izolimin e Rusisë dhe nuk dëshiron ta shohë këtë si pjesë të një operacioni sirian”.
Ndërsa sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes ndaj Presidentit Erdogan para zgjedhjeve të qershorit të vitit të ardhshëm, analistët thonë se çdo operacion në Siri ka të ngjarë të shtojë mbështetjen e votuesve të tij.