Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti publik i Ankarasë. Ajo shkroi në Facebook se çmimi iu nda për respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
“Nder i dyfishtë ta pranoj çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti prestigjioz i Ankarasë, e posaçërisht nga Fakulteti Juridik. Ky çmim është respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, por edhe për popujt, stafin akademik dhe studentët tanë”, ka shkruar Osmani.
Tash e disa ditë, Osmani po qëndron në Turqi, derisa të dielën është takuar me mërgimtarët.
“Mërgata jonë kudo është shpirti dhe zemra e Kosovës. Pata nderin t’i takoj, t’i përgëzoj dhe t’i uroj që Kosovën ta shohin jo vetëm si vend ku i vizitojnë familjarët e të afërmit, por edhe si mundësi për investime”. / Gazeta Enigma.