Presidentja Osmani i reagon Vulinit për masakrën e Reçakut

Presidentja Osmani i reagon Vulinit për masakrën e Reçakut

Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin e ka quajtur shpikje, falsifikim dhe gënjeshtër masakrën e Reçakut.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një vizite të cilën e kreu te grupi që po xhiron një film për ngjarjet në Reçak.

Ndaj tyre ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se Maskra e Reçakut është e njohur dhe e dokumentuar botërisht, andaj si e tillë është e pamundur të ndryshohet historia e saj.

E para e vendit tutje shtoi se Reçaku është një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë.

Reagimi i plotë:

Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën.

Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur.

Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal./Gazeta “Enigma”/

Related Articles