Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Katar, ka takuar edhe udhëheqësit e Odës Ekonomike të Katarit dhe udhëheqësen e Fondacionit të Katarit, si dhe iu drejtua audiencës së Qendrës Arabe për Hulumtime dhe Studime Politike.
Në takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Katarit, Khalifa bin Jassim Al Thani dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Katar, Presidentja diskutoi mundësitë e rritjes së investimeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë bujqësinë, turizmin dhe infrastrukturën.
Osmani gjithashtu u prit nga kryeshefja ekzekutive e Fondacionit të Katarit, Sheikha Hind Bint Hamad Al Thani, ku u diskutua për avancimin e arsimit dhe sistemit shëndetësor si parakusht për zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar edhe me një grup studiuesish në një ligjëratë të organizuar nga Qendra Arabe për Hulumtime dhe Studime Politike, ku diskutoi për historinë e Kosovës, impaktin e luftës, procesin e shtetndërtimit dhe pozitën aktuale të Kosovës në politikën botërore.
Në bashkëbisedim me pjesëmarrësit, Presidentja gjithashtu foli mbi agresionin rus në Ukrainë dhe politikat destabilizuese të presidentit rus dhe satelitëve të tij në rajonin e Ballkanit./Gazeta Enigma/