Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin kanë nisur hetimet rreth pretendimit për dëmtimin e posterit të kryeministrit Albin Kurti, në Skenderaj.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, në koordinim me prokurorin kanë nisur hetimet lidhur me dëmtimin e posterit”- ka thënë ai.
Më 02.02.2025, asamblisti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Skenderajt, Hysni Mehani, ka publikuar pamje në Facebook përmes të cilave ka pretenduar se persona të panjohur i kanë vënë flakën posterit të kryeministrit Albin Kurti, në Skenderaj.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Mehani ka thënë se është nuk është hera e parë që ka ndodhur një gjë e tillë gjatë kësaj fushate dhe sipas tij, rasti është raportuar në Policinë e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që ka ndodhur, e kemi raportu rastin edhe në Polici, por deri tash nuk ka ndodhë asgjë. Baneri është i kryeministrit Kurti dhe është i vendosur në pronë private të një aktivisti të Vetëvendosjes” – ka thënë Mehani.
Në postimin në Facebook, Mehani ka thënë se Policia e Kosovës, KQZ, KKZ e vëzhguesit të huaj e vendorë, sipas tij, duhet ta ndalin ‘këtë presion ndaj një familje që ka vendosur të shpreh lirshëm bindjet e saj politike’.