Prezantohen dy projekte madhore për rritjen e kapaciteteve të FSK-së

Prezantohen dy projekte madhore për rritjen e kapaciteteve të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë prezantuar, të enjten, dy projekte me të cilat synohet rritja e kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës për arsye strategjike, në Babaj të Bokës të Gjakovës dhe në Aeroportin e Gjakovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Mehaj ka thënë se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në Babaj të Bokës do të shndërrohet një zonë operacionale për FSK-në ku do të ndërtohen poligone taktike.

“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së ku do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s. Poligonet taktike në Babaj të Bokës do të jenë moderne që do ndërtohen sipas standardeve të ushtrisë amerikane dhe të NATO-s. Këto poligone do jenë në funksion jo vetëm për ushtrinë tonë por edhe të gjithë partnerët tanë strategjikë. Kurse në aeroport planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Mehaj në konferencë për shtyp të enjten.

Ai ka falënderuar aleatët strategjikë për ndihmën në realizimin e këtyre projekteve.

E Aliu ka thënë se shpronësimi i pronave për t’i realizuar këto projekte kanë qenë prioritete për Ministrinë që ai drejton. Ka theksuar se kanë shpronësuar pothuajse të gjitha pronat të cilat kanë kaluar në emër të Qeverisë, ndërsa deri tash kanë shpenzuar 9.4 milionë euro.

“Kemi arritur në vitin 2023 të kryejmë shpronësimet për arsye strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më tani janë kryer 9.4 milionë euro pagesa. Pas kryerjes së pagesave, kemi bërë kërkesë tek Agjencia Kadastrale që pronat e shpronësuara t’i kalojnë Qeverisë për nevojë të Ministrisë së Mbrojtjes. Pothuajse të gjitha pronat janë bartur në emër të Qeverisë”, ka thënë Aliu, i cili ka falënderuar veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për realizimin e këtyre projekteve.

Related Articles