70 mijë euro janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për rinovimin e hapësirave të pushimores për pensionistët prishtinas në Istog.
Kjo pushimore ndodhet në Banjë të Istogut dhe është pronë e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelinë Sahiti, thotë se kjo pushimore tashmë po merr formë.
“Pushimorja për pensionistët po merr formë tashmë. Vizituam nga afër zhvillimin e punimeve në renovimin e objektit i cili do të shërbejë si pushimore për pensionistët e Prishtinës”.
“Me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës u dakorduam se në vazhdën e aktiviteteve e Qëndrimeve Ditore në Prishtinë do të zhvillojmë e pasurojmë edhe më shumë programin e projektet për të moshuarit”.
Sahiti, thotë se posa të përfundojë renovimi, do të fillojnë me inventarizimin e saj.
“Porsa të përfundojë renovimi, do të fillojmë me inventarizimin e saj dhe kësisoj të jetë e gatshme për përdorim” ka shkruar Sahiti në Facebook.
Kujtojmë se kjo pushimore është jashtë funksionit që nga viti 2005, teksa shkak u bën kushtet jo të mira në të.
Më poshtë i gjeni disa pamje se si pritet të duket kjo pushimore pas rinovimit.