Skuadra e Prishtinës është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës në futboll pasi në gjysmëfinale e eliminoi Vushtrrinë, ekip që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Prishtina e konfirmoi kalimin në finale me fitoren e thellë në ndeshjen e kthimit, që u luajt të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Këtë ndeshje, Prishtina e fitoi me shifrat 6:0 kurse në finale avancoi me rezultatin e përgjithshëm 8:1, falë edhe fitores së parë 2:1 në Vushtrri.
Tri gola në pjesën e parë dhe po aq në të dytën, i dhanë fund dilemave të finalistit. Serinë e golave për Prishtinën, e hapi sulmuesi i krahut Hasan Hyseni në minutën e tetë, për të vazhduar Leotrim Kryeziu. Sulmuesi Kryeziu shënoi në minutat 16-të dhe 26-të për epërsinë e thellë të Prishtinës prej tri golave. Me të filluar pjesa e dytë, Prishtina e shënoi edhe golin e katërt, me anë të Bujar Pllanës në minutën e 54-të.
Mërgim Pefqeli realizoi për 5:0 në minutën e 75-të pas asistimit të Jalen Blesas, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi rezervisti Igball Jashari. Jashari shënoi nga penalltia në minutën e 83-të.