FC Prishtina ka zyrtarizuar emërimin e trajnerit të ri të skuadrës së parë, duke i besuar drejtimin 44-vjeçarit Alban Dragusha.
Dragusha i bashkohet klubit kryeqytetas pas një periudhe të suksesshme te Ramiz Sadiku, ekip të cilin e drejtoi që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më pozitive të Ligës së Parë gjatë sezonit aktual.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka qenë edhe në krye të Vushtrria, ndërsa në periudhën 2019–2022 ka kontribuar si ndihmës trajner te Drita, duke fituar përvojë të rëndësishme në elitën e futbollit vendor.
Përveç karrierës në pankinë, Dragusha ka ndërtuar një profil të pasur edhe si futbollist profesionist, duke luajtur në disa kampionate ndërkombëtare, përfshirë Ukrainën, Azerbajxhanin, Suedinë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Klubi bardhekaltër i ka uruar mirëseardhje trajnerit të ri dhe suksese në arritjen e objektivave sportive në vazhdim.
