Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Feronikelit ’74 në kuadër të javës së tetë në elitën e futbollit kosovar.
Për shkak të gjendjes së fushës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ky takim u zhvillua në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj.
Fillimi i ndeshjes ishte i qetë me të dyja skuadrat që po mbroheshin mirë dhe po prisnin ndonjë gabim eventual për të sulmuar.
Kryeqytetasit e gjetën golin e epërsisë pak minuta pa përfunduar pjesa e parë ku autor i saj ishte Rigon Llugiqi që realizoi për 1-0 në minutën e 40-të.
Teksa po i afroheshim fundit të sfidës, Prishtina e gjeti edhe golin e dytë kësaj radhe me Ngattan i cili realizoi në debutimin e tij për rezultatin përfundimtar 2-0.
Pas javës së tetë, bardhëekaltrit shkojnë në kuotën e 13 pikëve dhe momentalisht mbajnë pozitën e tretë, ndërkohë Feronikeli ’74 mbetet në pozitën e fundit me vetëm një pikë të fituar.