FC Prishtina do të jetë nikoqir i Fushë Kosovës në kuadër të xhiros së 35-të në kampionatin elitar të futbollit kosovar. Pas “Sami Kelmendit” në Lipjan, stadiumit të Ramiz Sadikut në kryeqytet, ‘bardhekaltërit’ do zhvendosen tani në “Bajram Aliu” të Skenderajt.
Kampionët në fuqi kanë njoftuar zyrtarisht se ballafaqimi me “Pampurat” do të zhvillohet në ‘folenë’ e Drenicës.
Gazeta “Enigma” mëson se arsye për këtë ndryshim lokacioni është bërë për shkak të ambientimit të futbollistëve me barin natyral, pasi që disa ditë më pas do ta zhvillojnë finalen e Kupës ndaj FC Ballkanit, me shumë mundësi në stadiumin me bari natyral në Drenas.
Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Fushë Kosovës është pa ndonjë objektiv për dy skuadrat, teksa ky vendim i kryeqytetasve po shihet mjaft interesant.
Dueli zhvillohet të shtunën më 18 maj nga ora 15:00. / Gazeta Enigma/