Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Nazim Gafurri’ ka ndalur për kontroll një veturë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, shoferit të dyshuar i janë gjetur dhjetëra fishekë të kallashnikovit, që janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“