Një qytetar nga Prishtina, po pretendon se babai i tij 66-vjeçar është sulmuar fizikisht nga sigurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ai thotë se sigurimi e ka grushtuar e shqelmuar babanë e tij. Për këtë ngjarje, familja nga Prishtina ka hapur rast në polici. Ndërkaq drejtori i QKMF-së thotë se nëse vërtetohen pretendimet e familjes nga Prishtina, do të merren masa ndaj personit të dyshuar.
K.M. nga Prishtina, po pretendon se babai i tij 66-vjeçar, I.M. (emër i njohur për redaksinë), ka shkuar të premten në QKMF-në e Prishtinës për të marrë një injeksion për shkak të problemeve me epilepsinë.
Ai ka deklaruar për Express se babai i tij ka shkuar nga tregu në QKMF për ta marrë injeksionin, ndërkaq me vete kishte edhe një karrocë ushqimesh.
“Të premten me datë 28 prill, prindi im ka shkuar me e marrë një injeksion në QKMF shkaku i epilepsisë, sepse kur përjeton sulm epileptik shkon me marrë injeksion. Aty e kishte edhe një karrocë të vogël të dorës (me dy rrota që ngrehet me dorë) sepse ka qenë në pazar me ble ushqim. Kur ka shkuar në QKMF e ka lënë karrocën në qoshe të oborrit të QKMF-së dhe ka shkuar për ta marrë injeksionin. Aty ka qenë koha e pauzës dhe ka pritur në korridor derisa të kryhet pauza”, ka deklaruar K.M.
Por, aty thotë se babai i tij pati telashe me një pjesëtar të sigurimit, për shkak të karrocës që po mbante me vete.
“Ndërkohë, ka ardhur sigurimi i objektit, dhe i ka thënë largoje karrocën, prindi i ka thënë prit ta marr injeksionin se jam i sëmurë, ai i ka bërtitur ta largojë karrocën, ky në atë moment i ka thënë “shko n*** të s’amës” se dua me e marrë injeksionin. Sigurimi e ka goditur boks dhe pastaj shqelm. Në momentin që e ka goditur, prindit tim i ka rënë të fikët (sulm epileptik). Këtë skenë e kanë pa edhe dy apo tri infermiere (apo praktikante) që kanë qenë aty. Prindi përveç mavijosjes, që dje ka qenë më e dukshme, ka edhe problem me nofull kur ha ushqim”, ka deklaruar K.M.
Ai thotë se të shtunën ka hapur rast në polici.
“Për shkak të gjendjes epileptike (që nuk është kthjellur në tërësi) rastin ma ka treguar të shtunën, e ne kemi shkuar në polici dhe kemi hapur rast”, ka thënë K.M.
E lidhur me këtë ngjarje, policia në raportin 24 orësh të së dielës, ka njoftuar se rasti është iniciuar si “sulm”.
“Sulm/Prishtinë 28.05.2021 – 15:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se për deri sa kishte shkuar për shërbim shëndetësor në QKMF, është sulmuar fizikisht. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq për këtë rast është i njoftuar edhe drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili.
Ai ka deklaruar për Express se e ka takuar të moshuarin të cilit i ka thënë t’i ndjek të gjitha procedurat lidhur me rastin e raportuar.
“Unë kam folur me palën. Ka qenë në polici, ata i kanë thënë ta marrë një letër se është i lënduar, por policia duhet ta ndjek rastin. Unë nuk e di çka ka ndodhur, sepse nuk kam fakte, por sido që të jetë, nëse ka ndodhur te objekti jonë nuk është rast i mirë. I kam thënë le të shkojë në polici, i pyesim edhe motrat që kanë qenë prezente. I kam thënë se do t’i ndihmoj, le të vije policia dhe çkado që iu duhet ne jemi të hapur për bashkëpunim”, ka deklaruar Halili.
Halili tha se sigurimi është i një kompanie private, të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, por nëse vërtetohet se rasti ka ndodhur ashtu siç pretendon 66-vjeçari, do të kërkojë nga kompania të marrë masa ndaj pjesëtarit të sigurimit.
“Sigurimi është privat, i kontraktuar me tender nga komuna, nuk është në juridiksionin tim që si punëtor me marrë masa disiplinore apo diçka. Unë do të flas edhe me punëtorin, sepse sot nuk është në punë, kur të jetë në punë do ta pyes çka ka ndodhur, nëse vërtetohet shkelja unë do të kërkoj nga kompania që ta largojë nga këtu”, ka deklaruar Haliti./