Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në Prishtinë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi me thikë.
Ngjarja ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 17:30, në rrugën “1 Tetori”, në afërsi të stadiumit “Rilindja”. Sipas raportimeve të Sinjalit në vendin e ngjarjes kanë mbetur të lënduar dy vëllezër: L.S. dhe Art Binaku. Sipas informacioneve fillestare, i mituri është goditur me thikë në gjoks, ndërsa vëllai i tij ka pësuar plagë në shpinë.
Njësitë policore që kanë dalë në vendngjarje kanë konstatuar se aty ndodhej vetëm një dëshmitar, ndërsa viktimat janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Burimet bëjnë të ditur se, sipas ekipit emergjent, të lënduarit janë në gjendje stabile, ndërsa për motivet e sulmit ende nuk ka informacion të qartë.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur njolla gjaku, çka po analizohet në kuadër të hetimeve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e hetimeve dhe forenzikës, të cilat po merren me mbledhjen e provave dhe identifikimin e të dyshuarit, i cili për momentin mbetet i panjohur. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
