Gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në Kosovë. Ato rrahen e kërcënohen nga bashkëshortët të cilët kanë frikë t’i denoncojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në rrugën “C” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete, duke iu shkaktuar frikë e shqetësim.
Bazuar në dëshminë e viktimës, burri i saj E.B., po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj saj duke e kapur për fyti dhe më pas e ka shtyrë. Përballë kësaj situate, e frikësuar nga e keqja që mund t’i ndodhte asaj, viktima ka arritur ta njoftojë Policinë.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është përballur me denoncimin kundër tij. I dyshuari është intervistuar në lidhje me veprën për të cilën dyshohet dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave nuk janë të rralla, çka shpesh nga ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese.