Prishtinë: “Unë ty ka me t’vra”, këta janë dy të arrestuarit për përleshjen e kanosjen me vrasje

Prishtinë: “Unë ty ka me t’vra”, këta janë dy të arrestuarit për përleshjen e kanosjen me vrasje

Një konflikt verbal mes dy personave në rrugën “Demë Ahmeti” në Prishtinë, eskaloi në sulm e kërcënime dhe që të dy përfunduan në ndalim policor. Përleshjes që dyshohet se ndodhi në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, i parapriu një debat mes dy palëve për shkak të një sasie të dheut të hedhur para shtëpisë. Ky motiv banal çoi në konflikt fizik, për çka u desh intervenimi i Policisë.



Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar se bëhet fjalë për të dyshuarit Mërgim Limani (29-vjeçar) dhe Ylber Fejzullahu (42-vjeçar), të cilët janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje lidhur me këtë rast.

Ata po dyshohen se përleshën për shkak të një debati lidhur me disa punime (një sasi e dheut që u hodh) që ishin kryer afër shtëpisë së të dyshuarit Limani. Konflikti mes tyre duket se përfundoi deri në momentin kur i dyshuari 42-vjeçar i shkoi 29-vjeçarit i armatosur në shtëpi, ku dyshohet se e kanosi seriozisht me një armë, duke iu drejtuar “unë ty ka me t’vra”, thotë ky burimi, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, përveç kanosjes, i dyshuari Fejzullahu ia kishte shpuar të dyshuarit tjetër edhe gomën e veturës së tij.

Kjo bëri që dikush ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitet policore me urdhër të Prokurorit e aprovim të Gjyqtarit kryen bastisje, ku gjetën edhe municion, prova këto që bashkë me armën u konfiskuan.

Të dyshuarit u shoqëruan më pas në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.

I dyshuari Fejzullahu do të hetohet për veprat penale ‘kanosje dhe posedim të paautorizuar të armëve’, ndërkaq Limani për veprën penale ‘sulm’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles