Një rast i lëndimit në punë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Nashec të Prizrenit.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një 23-vjeçar është dërguar atje me lëndime të rënda trupore, pasi i njëjti dyshohet se kishte rënë nga një lartësi teksa po punonte në kompaninë ‘Oni Diamond’.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se i riu ka pësuar frakturë në unazën e shpinës dhe për shkak të natyrës së lëndimeve është transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, njofton Sinjali.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.