Kryetari në largim i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për rihapjen e shkollave fillore në disa fshatra të kësaj komune ka thënë se nuk duhet të keqpërdoren pamjet që janë shpërndarë të martën ku shihen qytetarët duke festuar.
“Problemi e as mangësitë tek “hapja” e sotme e shkollave nuk qëndrojnë tek qytetari, por tek pushteti”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Sipas tij, pushteti i ri po përdorë në mënyrë populliste çdo ndjeshmëri për të dëmtuar një përpjekje që do të vërtetohet si e drejtë dhe e vërtetë.
“Një pushtet që përmes lidhjeve të shkurtëra dhe në mënyrë populliste përdor çdo ndjeshmëri për ta dëmtuar një përpjekje që do të vërtetohet si e drejtë dhe e vertetë, nuk është pushtet për njerëzi”.
“Këta në Kamenicë nuk janë përjashtim. Pushteti e përdori popullizmin, shantazhin e premtimet, duke manipuluar me gjendjen e shoqërisë”, ka thënë Kastrati.
Ai konsideron se prapakthimi do të mund të gjendet tek pushteti i ri, por jo tek banorët.
“Gjuha e përdorur në rrjete sociale, apo festa e banorëve nuk duhet paraqitur as nga mediat e as nga mbështetësit me terma përçmues si primitivizëm apo prapakthim. Prapakthimin e gjejmë tek pushteti i ri, asesi tek banorët”.
Kastrati, kishte filluar një reformë në arsim në komunën e Kamenicës, ku kishte mbyllur shkollat ku kishte pas nxënës.
Ai kishte deklaruar se këto shkolla u mbyllën për shkak se kishin prej 5 deri në 7 nxënës gjithsej ndërsa kishte premtuar që do ua siguronte transportin këtyre nxënësve në shkolla tjera.