Takimi në Bruksel, Bislimi tregon se çfarë u diskutua

Takimi në Bruksel, Bislimi tregon se çfarë u diskutua

Në kuadër të raundit të dialogut Kosovë-Serbi, të martën në Bruksel janë mbajtur takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.



Në një njoftim të qeverisë thuhet se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi në takimin me Lajçak diskutoi rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese, çështjen e të pagjeturve, takimet e nëngrupeve punuese dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në Kizhevak të Serbisë.

Tutje theksohet se delegacioni i Kosovës ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e botërorit të boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.

Po ashtu, ndalesa e bërë ekipit përfaqësues të boksit për të marrë pjesë në botërorin e boksit në Beograd, nga delegacioni kosovar u theksua si veprim i palës serbe që është plotësisht në kundërshtim me frymën e lëvizjes së lirë, që promovohet përmes marrëveshjes së Brukselit në raport me Serbinë.

Gjithashtu, shqetësim tjetër i ngritur janë pengesat e shkaktuara nga autoritetet serbe në transferin e mjeteve për Luginë e Preshevës.

Nga pala kosovare u kërkua facilitim shtesë nga BE-ja, veçanërisht duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë, meqenëse nga Ministria e Financave dhe Transfereve të Kosovës janë planifikuar dy milionë euro për Luginën e Preshevës në buxhetin e vitit të ardhshëm. /Gazeta Enigma/.

Related Articles