Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të aplikojë urgjentisht masa stimuluese shtesë dhe të bëjë pagesën e subvencioneve të mbetura.
Kjo shoqatë ka shtuar se gjendja është tepër alarmante dhe si pasojë e rrethanave të krijuara, për çdo ditë ka mbyllje të fermave dhe zvogëlim të fondit blegtoral, përderisa në anën tjetër ka rritje të kërkesës për qumësht cilësor dhe produkte të tjera bujqësore elementare.
Nga Ministria e Bujqësisë konfirmuan se procesi i subvencionimit bëhet në dy faza dhe sa i përket gjashtëmujorit të parë, aplikimi për qumështin sipas cilësisë, therjet e raportuara, akuakulturë, viça për majmëri është bërë së bashku me thirrjen e rregullt për aplikim dhe pagesat për këtë periudhë kohore janë ekzekutuar. Sa i përket gjashtëmujorit të dytë, nuk mund të shpallet thirrje për aplikim pa kaluar kjo periudhë kohore e përcaktuar me Udhëzim Administrativ.
Thirrja për aplikim për subvencionim për gjashtëmujorin e dytë për qumështin, sipas cilësisë, therjet e raportuara, akuakulturë, viça për majmëri do të shpallet gjatë muajit janar.