Qeveria po ngecë në zgjidhjen e problemit për krizën energjetike, deklarata e Kurtit “stil vajtues për të kaluarën”

Qeveria po ngecë në zgjidhjen e problemit për krizën energjetike, deklarata e Kurtit “stil vajtues për të kaluarën”

“Deklarata e kryeministrit Kurti si zakonisht është deklaratë që tashmë është e njohur mënyra dhe stili i tij vajtues për të kaluarën, por, që parimisht është e pa shpresë për qytetarët e vendit për proceset që na presin në të ardhmen”, thotë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.



Një deklaratë e tillë vjen pasi që në konferencën e së mërkurës kryeministri Kurti ua hedhi fajin qeverive të kaluara për krizën energjetike në Kosovë.

Shala në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se sipas tij qytetarët e vendit po ballafaqohen me një qeveri që më nuk po ofron zgjidhje dhe po vazhdon të rëndoj shkallën e inflacionit dhe rritjen e normave të energjisë elektrike.

“Për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti për të menaxhuar krizën energjetike po kamuflojnë me procese, me shifra dhe me raporte që në njëfarë formë janë krejt kamuflim politik”, shton ai.

Deputeti i PDK’së, Ferat Shala

Shala nënvizon gjithashtu se kriza energjetike  është e imponuar dhe e ndikuar nga shumë faktorë, por sipas tij përgjegjësia direke institucionale dhe shtetërorë sipas tije është e Qeverisë Kurti me për të menaxhuar krizën.

“E vetmja alternativë që na ka ofruar është shtrenjtimi nga 42% në linjë lineare deri ne 120% për disa kategori të caktuara të shoqërisë dhe bizneseve që është një ngritje e jashtëzakonshme e pa parë dhe e padëgjuar për një qeveri normale në një shtet normal, e pa përballueshme dhe veçanërisht për kategorinë e taksa paguesve tonë të cilët sot janë në gjendje pandemie”, thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës.

Tutje ai thotë se në dekadën e fundit gjendjen e një inflacioni të tillë nuk e ka pasur rajoni.

“Sinqerisht është jashtë çdo norme edhe institucionale edhe etike përvatja me ngrit çmimin  në këto përmasa dhe në këtë mënyrë”, përfundon për ‘Enigmën’ Shala.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti për refuzimin e projektit nga Koorporata amerikane: Gabim strategjik i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti

Hoti i pyetur nga Gazeta ‘Enigma’, për kritikat e kryeministrit, Albin Kurti i cili adresoi fajin te qeveritë e kaluara për krizën energjetike, ai kritikoi ekzekutivin duke thënë se neglizhuan paralajmërimet për krizë energjetike.

“Kriza energjetike u paralajmëruar në fund të verës së vitit të kaluar. Kosova hynë në mesin e shteteve që e neglizhuan paralajmërimin për krizë pasi nuk u ndërmor asnjë veprim që propozohej nga ekspertët e fushës. Çmimi i energjisë nuk duhet të rritet nën presione momentale të tregut. Çmimi i energjisë duhet të rritet vetëm si rezultat i një strategjie afatgjate të investimeve në energji për të reflektuar kostot e investimeve, të cilat duhet të jenë të arsyetuara në detaje”, thotë ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ai e ka quajtur gabim strategjik të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti refuzimin e projektin e propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në shtator të vitit të kaluar.

Ndërsa, ka shtuar se në një periudhë afat gjate, “duhet detyrimisht të rriten kapacitetet dhe të sigurohet pavarësia energjetike”, duke përmendur realizimin e projektit të MCC-së dhe investimet në termocentralet Kosova A dhe B.

Ndryshe, vlen të theksohet se të mërkurën kryeministri Albin Kurti, pas paralajmërimeve për shtrenjtim të rrymës, mbajti konferencë të jashtëzakonshme për media ku potencoi se kriza e krijuar energjetike vjen si pasojë e mos veprimit të qeverive të kaluara për ta zgjidhur këtë problem, për rreth dy dekada./Gazeta Enigma/

Related Articles