Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se ekonomia e vendit është duke u ballafaquar me inflacion, i cili po e shkatërron prodhimin vendës dhe bizneset.
Megjithatë, Shahini theksoi se të gjitha qeveritë kanë dështuar që të bëjnë më shumë për strategjinë zhvillimore në vend.
“Aktualisht ekonomia e vendit është duke u ballafaquar me një inflacion, i cili po e shkatërron edhe prodhimin vendor dhe bizneset dhe gjithë ekonominë. Andaj në këtë drejtim Qeveria e vendit do të duhet të marrë disa masa për të cilën do të duhet të tejkalojë kjo krizë e bizneseve dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi”.
“Mendoj se të gjitha qeveritë në aspekt strategjik kanë dështuar që të bëjnë më shumë për strategjinë zhvillimore vendore duke i dhënë prioritet ekonomisë dhe prodhimit vendor, por në këtë drejtim ne shpresojmë që kjo Qeveri, e cila ka ardhur në bazë të një kauze për ta mbështetur ekonominë do të bëjë më shumë se të tjerat”.
Sipas Shahinit, Qeveria duhet të fokusohet në zhvillim të sektorit privat dhe të krijojë strategji për tejkalimin e krizës, duke stimuluar prodhimin, punësimin dhe eksportin që është ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të një shteti.
“Të gjitha vijat buxhetore që nuk garantojnë zhvillim ekonomik nuk garanton që do ta mbështesë ekonominë me masa për prodhuesit vendor, është më shumë buxhet social dhe mbështet kategoritë e ndryshme siç janë pagat dhe shërbimet dhe më pak janë investimet drejtpërdrejtë në sektorin privat për të tejkaluar krizën ekonomike të krijuar nga pandemia dhe nga keq politikat fiskale dhe në mungesë të politikave zhvillimore”.
“Qeveria duhet të fokusohet në zhvillim të sektorit privat dhe të krijojë strategji afat shkurtër dhe afat mesëm për tejkalimin e krizës së përbashkët dhe duke stimuluar prodhimin, punësimin dhe eksportin që është ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të një shteti sepse varemi nga importin dhe duhet të krijohen politika zhvillimore, të luftohet varfëria, rreziku nga kriza ekonomike dhe të gjitha këto do të krijojnë balancë të zhvillimit ekonomik”, tha Shahini.
Ndërsa, pronari i industrisë së mishit “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se buxheti i Kosovës ka pasur një zhvillim shumë të mirë, mirëpo nuk pritet që Qeveria të ofrojë mbështetje material për bizneset, raporton EO.
Tutje, Piraj tha se Qeveria duhet ta ndryshojë politikën tatimore dhe Ligjin e TVSh-së.
“Buxheti i Kosovës ka pasur një zhvillim shumë të mirë dhe ka mundur të zhvillohet edhe më shumë. Ne nuk presim që qeveria të ofrojë mbështetje material ndaj bizneseve. Qeveria duhet ta ndryshojë politikën tatimore rrënjësisht”.
“Duhet ta ndryshojë Ligjin e TVSh-së, dhe jo të paguhet TVSh-ja 30 ditë pasi të fakturohet malli, i cili shitet për familjet e mëdha. Malli i shitur ndërmjet kompanive duhet të jetë pa TVSh dhe duhet të jetë në përputhje të drejtpërdrejtë me ligjet të cilat janë në fuqi në BE. Në duhet të kërkojmë të bëhemi si ata që të mundësojë zhvillimin ekonomik në vend, të prodhimtarisë të cilat do të mundësonin edhe punësime të reja”, tha Piraj.
Sipas tij, Kosova tashmë është e ballafaquar me krizë ekonomike, ngritje të çmimit të energjisë e derivateve të naftës.
“Krizë ekonomike tani ka. Edhe në Kosovë një shtresa e popullatës është me përqindje shumë të lartë. Ndërsa për shtresën e mesme do të ketë ndikim ngritja e produkteve ushqimore në standardin e tyre por nuk do të thotë se mund të jenë të rrezikuar”.
“Mirëpo nuk mund të jem të kënaqur sepse kemi ngritje të energjisë në përgjithësi të derivateve të naftës, ushqimit dhe shtresën e mesme do ta prek jashtëzakonisht shumë. Qeveria duhet të ndërmarrë diçka në këtë drejtim që të mos kenë pasoja të mëdha”./Gazeta Enigma/