Profesori i njohuri zviceran, Oliver Jens Schmitt, ka folur rreth situatës në veri pas sulmit terrorist që ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Ai të hënën kishte deklaruar se krimi i organizuar ka interes për t’ia ndaluar qasjen në veri policisë, prandaj sipas tij çdo veprim i policisë së Kosovës po tentohet të paraqitet si dhunë etnike.
“Incidenti i lartpërmendur i tregoi të gjithë botës se sa ngushtë janë të lidhura krimi i organizuar dhe dhuna politike. U bë gjithashtu e qartë se sa ngushtë janë ndërthurur këto grupe të aktorëve politikë kriminalë me qeverinë në Beograd”, tha ai në një intervistë për SwissInfo.
Anëtari i Akademisë së Shkencave së Austrisë, theksoi se të gjitha institucionet në Serbi janë të përkushtuara ta kthejnë Kosovën në Serbi.
“Nacionalizmi serb dhe miti janë pengesa në rrugën e Serbisë drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë. Serbia aktualisht është shumë larg nga kjo”, tha Schmitt.
Profesori zviceran shtoi se Serbia e mohon edhe ekzistencën e popullit të Kosovës, përveç shtetësisë së saj.
“Ka edhe teori serbe se shqiptarët në fakt janë serbë të konvertuar në islam”, thotë ai.
Ai tha se Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu është i prirur ideologjikisht drejt Rusisë, nuk është një demokrat, por një sundimtar autoritar që vepron brutalisht nga brenda.
“Fakti që Perëndimi po i afrohet është gjithashtu i rrezikshëm sepse Kosova është e vetmja demokraci funksionale në rajon”, shtoi ai.