Programi i MCC-së – “Kosova ka humbur betejën energjetike vite më parë”

Programi i MCC-së – “Kosova ka humbur betejën energjetike vite më parë”

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Kurti, në Uashington D.C do të marrin pjesë në ceremonin e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshkjes me Korporatën e Sfidave të Mijevjearit, për Programin e Kompakt të Kosovës..

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se kjo marrëveshje është një vazhdimësi e Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Pas dy viteve po shohim marrëveshjen që po implementohet. Është një moment që duhet të përshëndetet”, theksoi ai për Gazetën Enigma, derisa theksoi se Kosova ka humbur betejën energjetike vite më parë, ku është refuzuar projekti për termocentral të ri nga thëngjilli që do të ishte një mundësi për Kosovën për të siguruar stabilitet për të furnizuar vendin me energji

“Ka qenë një betejë e humbur me “mafinë energjetike” në Ballkan, kur kemi pasur mundësi të kishim termocentral të ri me 500 ose 1000 mijë megavatë”, tha ai.

Sipas tij për hir të mbrojtjes së ambientalizmit, Kosova po viktimizohet në aspektin e zhvillimit ekonomik

“Maqedonia e Veriut prodhon 300 megavat energji elektrike të prodhuar nga thëngjilli, të cilin e importon nga Kosova. Në Serbi prodhohen 5800 MË, në Mal të Zi, 680 MË, në Bosnjë rreth 3000 MË’, theksoi ai.

Mes tjerash, Gërxhaliu deklaroi se është sfidë për Kosovën është rivatilizimi i Termicentraleve, Kosovës A apo edhe Kosovës B.

“Në qoftë se shtetet më të zhvilluara si Gjermania, Austria kanë probleme për të siguruar energji e që janë shtete të zhvilluara, mos të flasim për neve”, theksoi ai. Gërxhaliu ka kërkuar të kemi harmonizim të politikës së energjisë me Shqipërinë për të pasur shkëmbim të energjisë.

Por, çfarë përfitimesh konkrete do të ketë Kosova nga ky program?

Rezerva të energjisë përmes baterive

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.

Përmes baterive mëtohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milion persona pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Gjatë sezonit të dimrit, kur rritet kërkesa për energji elektrike, konsumatorët shpenzojnë deri në 1.300 megavate në ditë, ndërkaq kapaciteti i prodhimit të dy termocentraleve në Obiliq, Kosovës A dhe B, arrin deri në 800 megavate. Pjesa tjetër e kërkesës për energji mbulohet nga importi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka thënë se më 2021, vendi ka importuar 1.311.461 megavate rrymë.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më 5 korrik se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind.

Norma e brendshme e kthimit tregon për përfitimet ekonomike të një projekti krahasuar me koston e tij.

Po ashtu, nga ky projekt, MCC-ja vlerëson se mund të ketë edhe përfitime të tjera, të tilla si kursimet për shërbimet e mundshme shtesë, rregullimin e tensionit të rrymës, por edhe ajër më të pastër.

Projekti për fuqizimin e grave në sektorin e energjisë

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

Sipas MCC-së, në Kosovë niveli i punësimit të grave është 14.1 për qind, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon dhe botë. Ndërkaq, gratë afariste përbëjnë vetëm dhjetë për qind, krahasuar me 33 për qind të nivelit të afaristeve gra në botë dhe rajon.

Projekti i Katalizatorit për Zhvillim

Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë.

Fondet e MCC-së do të përdoren për të hequr rrezikun e investimeve të DFC-së në sektorin privat, teksa DFC-ja do të jetë përgjegjëse që t’i mbikëqyrë investimet.

Në koordinim mes MCC-së, DFC-së dhe Qeverisë së Kosovës, përmes këtij projekti synohet që, po ashtu, të identifikohen edhe investime të tjera të mundshme në Kosovë.

Kosova, e cila vitin e fundit është prekur nga kriza energjetike që përfshiu Evropën, prodhon mbi 90 për qind të rrymës nga mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit. Ndërsa, pjesa tjetër e energjisë elektrike prodhohet nga burime të ripërtërishme, sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Related Articles