Prokurori federal heton 62 transferime të dyshimta në Serie A

Prokurori federal heton 62 transferime të dyshimta në Serie A

– Juventusi i përfshirë në 42 raste, Napoli me ‘aferën Osimhen’.

Prokurori Federal ka hapur një hetim për 62 transferime të dyshimta në Serie A, duke studiuar marrëveshjet e shkëmbimit dhe fitimet kapitale për shkak të vlerësimeve që po cilësohen të fryra.

Mediumet La Repubblica dhe Il Tempo pretendojnë se një skandal i ri i mundshëm transferimesh ka mbërritur në tryezën e prokurorit federal Giuseppe Chine.

Raportet pretendojnë se COVISOC, Komisioni Mbikëqyrës për klubet e Serie A i dërgoi një raport të detajuar Prokurorit dhe Presidentit të FIGC, Gabriele Gravina, duke u kërkuar atyre që të shqyrtojnë çështjen.

Mbikëqyrësi pretendon se disa biznese mund të kenë pasur ndikim të rëndësishëm në llogaritë e klubeve të ndryshme në ligën e parë.

Napoli përmendet për ‘aferën Victor Osimhen’, pasi katër lojtarë u transferuan në Lille për një vlerë totale prej 20 milionë euro dhe dy prej tyre tani janë në Serie D, një në Serie C dhe i katërti ka mbetur në Francë pa luajtur.

Juventusi ka 42 transferime në listë, me 21 lojtarë të shkëmbyer për një total prej 90 milionë eurosh, por paratë që ndryshuan në fakt ishin pak më shumë se 3 milionë euro.

Rasti tani është në Prokurorinë e FIGC-së, e cila ende nuk ka hapur ndonjë procedurë. Por prokurori federal Chine po studion dokumentet dhe nuk përjashtohet që një çështje të hapet në të ardhmen.

Vitin e kaluar, një skandal i ngjashëm goditi Serie B në Itali, dhe përfundimisht rezultoi në pikë të hequra për klubet Cesena dhe Chievo Verona – dy klube që më vonë falimentuan. 

Related Articles