Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka deklaruar se aksioni i zhvilluar sot është rezultat i hetimeve që kanë nisur që nga muaji mars i vitit 2025, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryeprokurori Kryeziu bëri të ditur se aksionit të sotëm i kanë paraprirë veprime hetimore të shumta nga marsi i vitit 2025 kur jemi ngarkuar me këtë rast.
“Fjala është për keqpërdorimet në BKS. Cak i hetimeve janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave të BKS-së, të cilët, duke keqpërdorur autorizimet që u janë besuar nga BKS-ja, u kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetes që të kryejnë transaksione të ndryshme, përmes të cilave kanë përfituar shuma të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së. Ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, të cilat, sipas vlerësimit tonë, i kanë përdorur si të mirëqena dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”.
Kryeziu tha se cak i hetimeve kanë qenë 46 persona dhe se 39 prej tyre janë arrestuar.
“Në aksionin e sotëm i kemi pasur cak 46 persona fizikë. Aksioni ka përfunduar me arrestimin e 39 personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai tha se aksioni është shtrirë në gjithë Kosovën dhe se janë sekuestruar para të gatshme, ar, orë të ndryshme dhe armë.
“Aksioni i sotëm ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës, nga Prishtina në Prizren… nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje, kontrolle dhe arrestime lidhur me këto keqpërdorime”, deklaroi Kryeziu.
“Kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre, 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët janë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse për përfaqësim si të autorizuar të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion. Ka edhe transaksione të tjera me persona të ndryshëm, pa asnjë dokument, ku janë bartur shuma të ndryshme parash; më e larta ka qenë 68 mijë euro, ndërsa më e vogla 6 mijë e 800 euro”, tha Kryeziu.
