Prokuroria kërkon të dënohen babë e bir të akuzuar për vrasjen e 2019-ës në Prishtinë

Prokuroria kërkon të dënohen babë e bir të akuzuar për vrasjen e 2019-ës në Prishtinë

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Fitore Sadikaj kërkoi nga gjykata që të akuzuarit për vrasjen e Abit Jashari, në shkurt të 2019-ës në Prishtinë, Besnik Shkodra dhe Baki Shkodriqi, t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Këtë deklarim, prokurorja Sadikaj e bëri gjatë shqyrtimit gjyqësor, me rastin e elaborimit të fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, palët në procedurë njoftuan gjykatën se fjalët përfundimtare i kanë përgatitur me shkrim.

Prokuroria Sadikaj tha se pas mbajtjes së disa seancave edhe në shqyrtimin gjyqësor, vetëm janë fuqizuar provat, duke u vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Andaj, kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Fjalën përfundimtare të prokurores Sadikaj, e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Jeton Osmani, i cili kërkoi nga gjykata që të marrë vendim meritor për dy të akuzuarit.

Avokati Osmani tha se pala e dëmtuar do të paraqesë kërkesë pasurore-juridike.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Shkodra, avokati Skender Musa në fjalën përfundimtare propozoi që gjykata të bëjë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasja e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5, në “Vrasje e kryer në gjendje së tronditjes së fortë mendore” nga neni 130 të KPRK-së.

Kjo ngase sipas tij, janë plotësuar gjitha rrethanat. Po ashtu, kërkoi nga gjykata që gjatë matjes së dënimit, të ketë parasysh rrethanat lehtësuese, si rrahja dhe kanosja, nënçmimi dhe fyerjet, bulizimi dhe persekutimi psiqik ndaj të mbrojturit të tij, nga ana e tani të ndjerit.

Kurse, sipas mbrojtëses së të akuzuarit Baki Shkodriqi, avokates Sadije Mjekiqi, Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë as në fazën e hetimeve e as gjatë shqyrtimeve gjyqësore se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale të vrasjes e rëndë në shtytje, në bashkëveprim me të akuzuarin Besnik Shkodra.

Avokatja Mjekiqi, kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza.

Fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre, i mbështetën të akuzuarit Shkodra dhe Shkodriqi.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti njoftoi se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 3 mars 2023.

Për këtë çështje, më 14 korrik 2022 ishte bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes pas propozimit të aprovuar nga trupi gjykues më 1 qershor 2022 të mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Shkodra, avokatit Skender Musa.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

Related Articles