Ka përfunduar e qetë protesta e radhës e opozitës në Shqipëri.
Protestë kjo që u shtri sot në akset qendrore të rrugëve kombëtare të vendit, duke paralizuar për tre orë qarkullimin e mjeteve.
Opozita ka shpallur prej kohësh mosbindjen civile si një mjet për të kërkuar një qeveri teknike e cila të mund të organizojë “zgjedhje të lira e të ndershme”, ndërkohë që në parlament aksioni i saj synon bllokimin e veprimtarisë normale, raporton Zëri i Amerikës, transmeton Gazeta Enigma.
Rrugët e hyrjes në kryeqytet, Tiranë, e po ashtu akset kryesore të lëvizjes drejt jugut, veriut dhe juglindjes, qëndruan të bllokuara.
Në vendet e paralajmëruara për protestë, drejtues të opozitës vendosën automjetet e tyre, derisa atyre iu bashkuan disa qindra mbështetës.
Për më shumë se 1 orë gjithçka kaloi qetësisht, por situata shënoi momente tensioni në hyrjen perëndimore të kryeqytetit dhe në daljen e qytetit të Elbasanit, kur policia nisi të bënte thirrje për lirimin e rrugës.
Në Tiranë, pranë vendit të protestës forcat e policisë u rreshtuan me skafandra dhe mburoja duke avancuar drejt rrugës. Një lëvizje e tillë u pa si një shenjë provokimi nga drejtuesit e opozitës të cilat kërkuan me forcë tërheqjen e tyre.
Nuk munguan dhe momente të shkurtra përplasjeje, me protestuesit që tentonin të shtynin gardhin e policisë.
Në pjesët e tjera të rrugëve të bllokuara, gjithçka kaloi përgjithësisht e qetë, me episode të vënies së zjarrit grumbujve me goma makinash, apo shkurreve anës rrugëve.
Në përfundim të protestës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, tha se “qëndresa dhe rezistenca jonë do të vazhdojë. Rezistenca jonë do sjellë zgjidhje” duke theksuar se “qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai përsëriti se “mosbindja civile do të vazhdojë. Kthim pas nuk ka”. /Gazeta Enigma