Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

Nga bashkëpronar i bizneseve miliona dollarëshe te një qytetar që zyrtarisht nuk ka asnjë kompani në emër të tij – Milan Radoiçiq e kaloi atë rrugë në Serbi për vetëm tri ditë.

Radoiçiqi, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, bashkëpronësinë në kompaninë ombrellë “Inkop” dhe degët e saj ua transferoi partnerëve të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Milan Radoiçiq deri më 6 tetor kishte 40 për qind të aksioneve në “Inkop”. Me këtë, ai ishte bashkëpronar në katër kompani të tjera të lidhura me “Inkop” në Serbi, të cilat janë të angazhuara në aktivitete të ndryshme – nga ndërtimi e deri tek industria e hotelerisë.

Kërkesa për largimin e Radoiçiqit nga pronësia e kompanisë “Inkop” është kërkuar më 3 tetor, thuhet në një dokument të publikuar në faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR). Agjencia për regjistrat ekonomikë e miratoi kërkesën për tri ditë, pra 6 tetor.

Po të njëjtën ditë, Radoiçiqi është arrestuar nga policia dhe ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, si i dyshuar për disa vepra penale në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Asetet e këtyre kompanive, siç tregon hulumtimi i Radios Evropa e Lirë (RSE), kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove. Këtu përfshihen pajisje ndërtimi dhe prona të ndryshme të paluajtshme – lokale afariste, tokë, hotel në Kopaonik, vilë në Beograd.

Hulumtimi tregoi gjithashtu se në vitin 2022, ato kompani kanë fituar mbi 24.5 milionë euro dhe janë lidhur marrëveshje fitimprurëse me shtetin.

Related Articles