Paris Saint-Germain ka marrë një fitore të vështirë me rezultat 3-1 në udhëtim te St Etienne në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Ligue 1.
Kryeqytetasit kanë marrë fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke rritur epërsinë me ndjekësit, në një ndeshje ku Sergio Ramos debutoi me PSG-në.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të PSG-së, por ishin vendasit që shënuan të parët dhe mysafirët të dytit.
Denis Bouanga (23’) kaloi vendasit në epërsi 1-0, ndërsa Marquinhos (45+) barazoi me kokë për 1-1 pas asistimit të Lionel Messit dhe daljes së Timothee Kolodziejczak (45’) me karton të kuq.
Në pjesën e dytë, PSG ishte skuadër dukshëm më e mirë shkaku edhe i superioritetit numerik, por fitoren arriti ta sigurojë vetëm në fund të ndeshjes.
Angel Di Maria (79’) shënoi pas një asistimit të bukur të Messit për 1-2, ndërsa argjentinasi magjik kompletoi het-trikun e asistimeve në minutën e 90-të, kur Marquinhos shënoi për rezultatin përfundimtar 1-3.
Pas kësaj fitore, PSG e sheh veten në pozitën e parë me 40 pikë, ndërsa St Etienne i fundit me vetëm 12 pikë.
Në ndeshjen e radhës, kryeqytetasit luajnë në shtpëi ndaj Nice, ndërsa St Etienne udhëton te Brest. /Gazeta Enigma/