Arrestimi i Ilir Metës po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe lajmi kryesor i kësaj jave në Shqipëri.
Lidhur me rastin e tij kanë dalë detaje të reja.
“Nga hetimi i deritanishëm, theksohet në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, janë grumbulluar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Ilir Meta (Metaj) ka kërkuar dhe ka marrë përfitim të parregullt nga shtetasi (i gjykuar) Kastriot Ismailaj në shkëmbim të ndihmës së dhënë pcr përfitimin e kontratës që kompania e të gjykuarit Ismailaj ‘DIA’ të lidhte me shoqërinë CEZ”, njofton Top Channel, transmeton Gazeta Enigma.
“Elvis Mataj jep të dhëna se Kastrioti i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të Bordit të ERE shumën prej 500 mijë euro, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që CEZ blinte nga KESH”.
Mataj ka pohuar që Kastriot Ismailaj i ka premtuar Petrit Ahmetit një pagë prej 150 mijë eurosh, e cila i ishte paguar pjesërisht.
“Elvis Mataj shprehet se lidhur me mbështetjen për fushatën politike që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Ilir Metës, Kastrioti ka kryer pagesa 116 milionë e 800 kundrejt shoqërisë “BTT SHPK (Agron Çelës) dhe pagesën 29 milionë e pesëqind shoqërisë ‘Nereida’ shpk (Arian Laçi. Sipas Elvis Matajt, këto pagesa ishin për mbështetje që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Metës”.
Sipas të dhënave nga hetimet, Meta e ka favorizuar Ismailajn në krijimin e kontakteve me përfaqësuesit e CEZ-it, dhe të krijonte besueshmëri para tyre si njeri i besuar i qeverisë shqiptare, gjë që do ta favorizonte për marrjen e kontratës për mbledhjen e borxheve nëpërmjet DIA-së.
“Rezulton se shtetasi Ilir Metaj e ka kryer kundrejt kërkimit apo marrjes së një përfitimi të parregullt prej shtetasit Kastriot Ismailaj. Nga dëshmia e shtetasit grek Josef Hejsek e dhënë para Arbitrazhit të Vjenës, përftohet e dhëna se shtetasi Kastriot Ismailaj i është prezantuar si një aleat i ngushtë i Ministrit të Punëve të Jashtme ( Ilir Metaj). Më konkretisht, ky shtetas ndër të tjera ka dëshmuar se: “Ne diskutuam këto çështje me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërise (“METE”)”, theksohet në dosje”, thuhet më tej në artikullin e TCH-së. /Gazeta Enigma