Punëtori i një hoteli në Prishtinë dyshohet se dhunoi seksualisht kolegen e tij, 29-vjeçarja thotë se e drogoi

Punëtori i një hoteli në Prishtinë dyshohet se dhunoi seksualisht kolegen e tij, 29-vjeçarja thotë se e drogoi

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre.



Një ngjarje e trishtë, dyshohet t’i ketë ndodhur në mesin e verës së shkuar një gruaje nga Fushë Kosova.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas më shumë se shtatë muajsh, viktima ka marrë guximin që të denoncojë rastin e dhunimit ndaj saj.

Bazuar në dëshminë e 29-vjeçares, natën kritike ajo kishte dalë nga puna e saj në një hotel me nam në Prishtinë rreth orës 01:00 pas mesnate. Kolegu i saj, i cili është i dyshuar për rastin, kishte vendosur që ta shoqërojë viktimën me veturën e tij deri te banesa e saj.

Por i gjithë tmerri filloi në veturë, teksa 32-vjeçari dyshohet se po tymoste një cigare marihuanë, tymin e së cilës e ka hedhur vazhdimisht në fytyrën e viktimës, duke bërë që ajo të humbas vetëdijen.

29-vjeçarja ka deklaruar se më tej nuk mban mend asgjë, mirëpo dyshon se është dhunuar seksualisht nga kolegu i saj, për të cilin thotë se më pas edhe e ka kërcënuar.

Për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve nga ana e të dyshuarit, viktima nuk ka pasur guxim që të denoncojë rastin në Polici menjëherë pasi ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Related Articles