Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë shtetase të huaja, të dyshuara për marrje me prostitucion.
Ato janë arrestuar në kuadër të planit operativ ‘Pranvera 2025′, theksuan nga Policia e Kosovës në një njoftim për media.
Nga shtatë të arrestuarat, tri janë shtetase të Kolumbisë, dy të Venezuelës, një e Brazilit dhe një e Turqisë.
Policia tha se të arrestuarat janë dënuar me gjobë nga Gjykata dhe u është shqiptuar masa plotësuese e dëbimit nga Kosova.
“Të gjithë të dyshuarit të përfshirë në rastet ‘marrje me prostitucion’ janë dërguar në gjykatë, ku iu është shqiptuar dënim me gjobë si dhe është lëshuar masë plotësuese dëbim nga territori i Kosovës si dhe ndalim hyrje në Territorin e Republikës së Kosovës për tri vjet”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia tha se gjatë operacionit ‘Pranvera 2025’ janë kontrolluar gjithsej 47 lokale të muzikës live dhe 67 qendra të masazheve. / Gazeta Enigma.