“Qëllimi i Serbisë është eskalimi i situatës në veri, synojnë ndërhyrjen ndërkombëtare”

“Qëllimi i Serbisë është eskalimi i situatës në veri, synojnë ndërhyrjen ndërkombëtare”

Tash pesë ditë Policia e Kosovës po qëndron në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë për të parandaluar incidentet nga protestuesit serbë.

Eskalimi i mundshëm i situatës atje, nuk po përjashtohet nga eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili thotë se provokimet e ekstremistëve serbë mund të përshkallëzohen.

Ibishi thotë se krejt kjo është një taktikë e Serbisë që të fus në lojë bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që kjo e fundit të kërkojë nga Kosova heqjen e reciprocitetit në targa.

“Të rrezikshme e shoh mundësinë që mundet me ardh te një përshkallëzim i mundshëm për shkak të një provokimi të paparashikuar aty, sikurse po bëhen provokime… nga protestuesit ekstremistë ndaj policisë”, shprehet Ibishi.

Ai tha se për shkak të provokimeve që po bëhen nga ana e banorëve serbë, ka gjasa të ketë edhe ndonjë incident të papritur.

Ky sipas Ibishit është edhe qëllimi i serbëve.

“Mirëpo, mundet me ardhë edhe deri tek një incident i papritur, i një sulmi, i një eskalimi që të mos ketë siguri aty dhe të marrë përmasa më të mëdha. Aty edhe është qëllimi i serbëve. Që të vjen deri tek një përballje, provokim incidenti dhe mandej ajo të shfrytëzohet që për qëllime të tyre, që kinse të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që reciprociteti të tërhiqet”, thotë Ibishi për KosovaPress.

Ai shprehet i bindur se protesta në veri të vendit do të vazhdojë, gjë që sipas tij, do të jetë ngarkesë shtesë për Policinë e Kosovës.

Ndërkohë që thotë se kjo e fundit ka kapacitete dhe potencial për të mbajtur rendin dhe qetësinë, teksa shton se janë protestuesit serbë që duhet të lirojnë rrugën.

“Vet procesi ka nisur me provokime, nga sjellja e protestuesve ndaj policëve të Kosovës. Edhe ata po kanë durim dhe qëndrim dhe disiplinë që të mos iu përgjigjen këtyre provokimeve. Por, procesi po vazhdon me bllokim të rrugëve dhe kjo është shqetësuese. Nuk ka shenja se ndonjëra palë do të lëshojë pe, dhe me sa duket kjo do të zgjatë”, tha ai.

Po ashtu, tutje, Ibishi shprehet se “Problemi është tek ajo që të mos eskalojë situata nga ekstremistët që kanë dalë të protestojnë por edhe nga xhandarmëria serbe që po qëndron në afërsi të kufirit”.

“Ajo e di që s’mund të ndërhyjë, por realisht ato janë provokime dhe presion i gjithmbarshëm. Sipas të gjitha gjasave kjo protestë do të zgjasë dhe do të jetë ngarkesë shtesë për Policinë e Kosovës”, thekson Ibishi.

Ibishi komenton edhe lajmet e rreme nga mediat serbe se brenda policisë së Kosovës janë përfshirë edhe agjenci të sigurisë dhe se ka pasur incidente në Bërnjak.

Ai apelon Policinë e Kosovës që të përmbahet nga provokimet e ekstremistëve serbë që kanë bllokuar rrugën e që po këndojnë këngë nacionaliste.

“Kjo është një luftë speciale e Serbisë, që me provokime dhe inskenime të ndryshme, që përmes rasteve të paqena në realitet të nxisë edhe një provokim më të madh të policisë, me qëllim që me e prish rendin. Për këtë arsye duhet me qenë të përmbajtur Policia e Kosovës nga këto provokime, por edhe vet protestuesit, të cilët bashkë me ministrin Rakiq po qëndrojnë aty dhe po dirigjohen nga Beogradi…Nëse zgjatë edhe një kohë të pacaktuar, mendoj që kjo mund të sjellë tek incidenti”, shprehet Ibishi.

Që nga fillimi, procesi i implementimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për reciprocitetin në targa me Serbinë ka nisur me provokime të ndryshme nga protestuesit ekstremistë serbë.

Related Articles