Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka miratuar vendimin për statutin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, para kabinetit qeveritar ndau detaje rreth këtij vendimi.
“Në bazë të fushëveprimit dhe mandatatit të saj MASHTI duke marrë parasysh ligjin për arsimin e lartë i propozon Qeverisë marrjen e vendimit për miratimin e statutit të ri të Universitetit të Prishtinës për aprovim në Kuvend. Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 31.07.2023 ka miratuar statutin e ri”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se statuti i ri përmban një mori vendimesh e reforma që do të ndikojnë direkt në përmirësimin e cilësisë dhe punës në universitet.
“Me stautin e ri besojmë se UP-ja dhe institucionet tjera të arsimit të lartë do të vendosin standarde të tilla të cilat ka kohë që i janë dashur vendit, në mënyrë që të rritet cilësia e studimeve dhe të avancohen studimet në arsimin e lartë”, tha Nagavci.