Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeveria e Kosovës nuk ka plan zhvillimor dhe se pas përfundimit të mandatit nuk do të ketë asgjë për të treguar.
Ai thotë se qeveria ka braktisur çdo kauzë të saj dhe se në vitin e saj të parë nuk u bë asgjë që vlen të përmendet.
“Viti i parë vetëm shkoi. Tash i kanë edhe dy vite. Viti i katërt është vit zgjedhor. Qeveria nuk do të përfundojë asnjë projekt madhor në mandatin e saj”, tha ai në T7.
Ai shton se projekti zhvillimor është i dobët dhe se nuk do të arrihet asgjë ndryshim i madh në asnjërin sektor.
“Financiarisht është i pamundur. Koha nuk e lejon. Më thoni, pas katër viteve si do të mbahej mend qeveria nëse nuk ka asnjë projekt madhor. Nuk ka. Edhe projekti zhvillimor lë shumë për të dëshiruar. Nuk po flas vetëm në ekonomi. Por edhe në arsim, shëndetësi e cdo fushatë tjetër”, shton i pari i LDK-së.
“Katër kriza globale e goditën Kosovën. Për asnjërën nuk ishte i gatshëm kryeministri dhe kjo qeveri”, përfundoi ai.
Tutje lideri i LDK-së tha se kanë kërkuar nga qeveria për zbutjen e çmimit të derivateve në mënyrë që të ketë një stabilitet të çmimeve për një periudhë afatshkurtër.
Abdixhiku tha se këto rekomandime që i kanë dhënë janë refuzuar vetëm pse janë dhënë nga LDK-ja.
“Qeveria duhet t’u sigurojë qytetarëve tanë se vaj do të ketë, mos bleni me çmime të larta. Por edhe vaji s’është problemi kryesor. Sepse kostoja e vërtet është e lëndës së parë në Kosovë që janë derivatet. Prandaj ne kemi kërkuar që veproni në zbutjen e çmimit të naftës, derivateve, në mënyrë që të ketë stabilitet të çmimeve të menjëhershme për një periudhë afatshkurtër.
Këto rekomandime që i kemi dhënë kam bindje që janë refuzuar vetëm pse i kemi dhënë ne. Nuk ka arsye tjetër logjike sepse një javë më pas Maqedonia ka marrë masa të njëjta”, tha Abdixhiku.
Ai tha se përfituesi i vetëm i inflacionit të lartë është qeveria.
“Tani çmimet i ke të ngritura dhe të stabilizuara lartë. Cmimet e energjisë elektrike vijnë të larta, çmimet bazike të larta, qeveria vazhdon të merr taksa prej kësaj punë. I vetmi përfitues i një situate të tillë ekonomike të inflacionit të lartë është qeveria”, shtoi Abdixhiku.
Ndërsa, ka theksuar se rritja ekonomike në Kosovë erdhi si pasojë e hapjes pas pandemisë. Ai shton se rritja mund të vërehet edhe në rajon, por që ai thotë se kjo rritje është vetëm në krahasim me vitin 2020 kur kishim mbyllje totale si pasojë e koronavirusit.
Abdixhiku thotë se pohimi i qeverisë se Kosova ka pasur rritje është i saktë, edhe pse nuk dihet sigurt për shifrat e sakta të rritjes, por që standardi i jetesës nuk është rritur për shkak të inflacionit.
“Rritja është reale. Kjo është si pasojë e boomit post-pandemik. Por duhet ta keni parasysh se kjo krahasohet me vitin 2020. Pra në vitin kur kishim mbyllje totale. Edhe vendet e rajonit dhe botë kanë rritje të madhe. Kjo për faktin se pas pandemisë erdhi hapja. Tash nuk e dimë saktë sa ka qenë rritja. Banka Botërore po thotë diku 7%. Bana Qendrore 9.9%. rritja erdhi edhe si pasojë e inflacionit. Çmimet u rritën. Por njerëzit e thjeshtë nuk e panë këtë rritje. Dilni dhe pyetni vetë. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek standardi njerëzor”, tha ai.
Tutje ai shtoi se për rritje ekonomike mund të pyeten edhe qytetarët, të cilët sipas tij nuk kanë vërejtur ndryshim si pasojë e rritjes së çmimeve.
“Njerëzit nuk mund t;i gënjesh për standardin e tyre të jetesës. Shko tek ata dhe pyeti se a po jetojnë më mirë tash apo para një viti. Ata të tregojnë se nuk ka ndryshim. Në kohë inflacioni fiton vetëm qeveria. Me rritjen e çmimeve fiton vetëm qeveria me taksa”, shtoi ai.