Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se Klinika e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pranoi një donacion nga EULEX-i, raporton Gazeta Enigma.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook’, ku theksohet se ky donacion përmban inervtar, pajisje kompjuterike, fotokopje dhe materiale tjera për zyrat e personelit shëndetësor.
Ndryshe, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, dr. Valbon Krasniqi, e falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, sidomos sektorit të shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë COVID-19.
Ndërsa, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, që dorëzoi donacionin, kujtoi dhe vlerësoi lart rolin e mjekëve dhe infermierëve në shoqëri, derisa tha se ata meritojnë më shumë.
“Unë e di sa e rëndësishme është puna e juaj. Ajo vlerësohet lart, sepse ju keni bërë një betim për t’i ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Kemi ardhur të sjellim këtë donacion që t’ju ndihmoj juve. Janë disa pajisje që kanë qenë për ne, por nuk i kemi përdorur, sepse kemi vlerësuar që janë më të rëndësishme për ju”, theksoi Wigemark.
Drejtoresha e Endokrinologjisë, Venera Berisha- Muharremi, ndërkaq, duke falënderuar misionin e EULEX-it, tha se është befasuar që kërkesa e saj është aprovuar menjëherë.
“Kam bërë kërkesën për donacion në EULEX. Jam befasuar për të mirë që kjo kërkesë është trajtuar me prioritet dhe është aprovuar menjëherë”, tha Berisha- Muharremi.
/Gazeta Enigma/.