Ish-kryetari i Odës Ekonomike Kosovare, Safet Gërxhaliu, ngritjen e çmimeve të produkteve bazë në tre mujorin e fundit po e sheh si pasojë të pandemisë.
Gërxhaliu ka thënë se rritja e çmimeve bazë për 1.2 për qind në muajt e fundit, do ta godas edhe më shumë ekonominë familjare të qytetarëve kosovarë.
“Në aspektin ekonomik po e shihni që vërtetë është një krizë që ka goditur tërë botën dhe kjo po reflektohet në Kosovë dhe çka e vështirëson edhe më tepër ekonominë kosovare në veçanti ekonominë familjare është inflacioni i importuar, vetë fakti që kemi rritje të importeve, kemi mbyllje të ekonomive vendore dhe nuk kemi mbështetje direkte për qytetarët e Kosovës, apo nuk kanë pasur mundësi qytetarët të shijojnë dorën e shtetit ndikon në rritje të këtij fenomeni që do ta godet edhe më tepër qytetarin e Kosovës”, është shprehur ai.
Sipas Gërxhaliut qytetarët janë të frustruar nga ky ndryshim çmimesh të produkteve ushqimore, sepse atë që mund ta blinin më 100 euro tani nuk mund ta blejnë as më 130 euro.
Gërxhaliu konsideron se Kosova ka fuqi blerëse të dobët, por që ata po e kalojnë këtë krizë falë remitencave të bashkatdhetarëve.
“Prandaj duhet të analizohen modalitete se si të mbështetet qytetari dhe si të ndalohet hovi i rritjes së floacionit, sepse sa më shumë rritet floacioni kemi fuqi më të dobët blerëse në Kosovë dhe e gjithë kjo gjeneron efekte negative që do të reflektohen. Për momentin falë remitancave dhe kursimeve të qytetarëve mund të tejkalohet por në periudhë kohore afatmesme dhe afatgjatë do të jetë mjaftë sfiduese” ka përfunduar ai.