Komuna e Prishtinës nga sot, për tri ditë radhazi do të vazhdojë testimin e radhës të shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Por kjo ka shkaktuar kolona të gjata të automjeteve në kryeqytet dhe ka nxitur reagimin e qytetarëve.
Për këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Reagimi i plotë:
Qytetarët e Prishtinës, minj eksperimental të një eksperimenti të çmendur!
Me propozim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që një kohë po zhvillohet një eksperiment, ndoshta me qëllim të mirë për shkarkim të trafikut përmes shndërrimit të unazës së madhe në një rrugë njëdrejtimëshe duke ngarkuar shumë rrugët “Agim Ramadani“ dhe “Luan Haradinaj“ përkatësisht duke i shndërruar në një kaos që paralizon qarkullimin e trafikut por edhe të qytetarëve.
Deri më tani ky eksperiment ishte provuar vetëm të shtunave dhe të dielave, ditëve kur trafiku edhe ashtu shkarkohej shumë duke shkaktuar vështirësi por jo, as për së afërmi në masë sikur ndodhi sot në Prishtinë. Të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshe përveç se një veprim jashtë çdo logjike apo kontribut për shkaktim të qëllimshëm të kaosit në trafik.
Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës.
Paramendoni nëse dikush, për shkaqe shëndetësore ka nevojë që të shkojë urgjentisht te mjeku apo që autoambulanca e ndihmës së shpejtë duhet të shkojë në një adresë ku një i sëmurë ka nevojë për intervenim urgjent dhe ku jeta e tij matet me minuta e jo me orë? Kush e merr përgjegjësinë për këtë?!
Personat e papërgjegjshëm, sigurisht jo sepse, në të kundërtën nuk do të vepronin siç po veprojnë. Sa i punësuar është vonuar për punë apo nxënësi për shkollë për shkak të këtij eksperimenti të çmendur.
Komuna e Prishtinës duhet të ofrojë mundësi tjera lehtësuese në rast se eksperimenton e jo, një trafik të stërngarkuar ta shndërrojë në kaos. Komuna e Prishtinës duhet të kujdeset që të mos lejojë automjetet e rënda që të frekuentojnë rrugët kryesore që, përveç dëmeve që i shkaktojnë asfaltit dhe infrastrukturës rrugore, jashtëzakonisht e rëndojnë lëvizjen e veturave tjera.
Përveç kaosit ngufatës, komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje andaj, ose duhet të ndërpresë këto eksperimente jonormale, ose duhet të kërkohet përgjegjësi për projektuesit dhe zbatuesit e këtij kaosi në trafik.
Ky eksperiment i vë në situatë të rëndë edhe banorët të cilët, për shkak të kufizimeve që prodhon ky eksperiment, nuk mund të lëvizin me automjetet e tyre, as për të shkuar në punë e as për përmbushje të nevojave tjera.
Ky kaos krijon një situatë tensionuese, më shumë aksidente sikur edhe ngatërresë midis vozitësve, nga fyerjet verbale e deri te përleshjet fizike. Policia e Kosovës, në këtë rrethana është krejtësisht e pafuqishme për të vendosur rregull në trafik. Këtij kaosi i ndihmon shumë edhe reduktimet e rrymës që lënë jashtë përdorimit semaforët dhe as për këtë komuna e Prishtinës nuk ka bërë zgjidhje.
Prishtina nuk ka metro, në këto rrethana edhe qarkullimi i mjeteve të trafikut urban është i kufizuar duke shkaktuar probleme zinxhirore.
Për KMDLNj –ë është e arsyeshme që këto kufizime të zbatohen gjatë fundjavës dhe ditëve të festave por në asnjë mënyrë ditëve të punës. Komuna e Prishtinës duhet sa më parë të ndërpresë këto praktika të mbrapshta sepse, edhe ashtu, mjaftueshëm është duke i shkelur të drejtat e njeriut përkatësisht lirinë e lëvizjes.