Reduktimet me energji elektrike pritet të vazhdojnë të paktën deri më 25 gusht, derisa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka rekomanduar KEK-un që të sigurojë energjinë e nevojshme. E qytetarët në anën tjetër kanë paralajmëruar edhe protestë kundër reduktimeve dhe shtrenjtimit të rrymës.
Reduktimet e energjisë elektrike vazhdojnë të kundërshtohen nga qytetarët dhe shoqëria civile, por edhe shtrenjtimi. Aktivisti Visar Dili që nga e shtuna ka nisur kundërshtimin për dyfishimin e vlerës së tarifave të rrymës.
Ai dhe shumë qytetarë, përmes platformës online kanë paralajmëruar edhe protestë para institucioneve përkatëse.
Qytetarët presin që kjo çështje të zgjidhet para dimrit.
“Nuk i shoh te arsyeshme këto reduktime, por kjo është në gjithë Evropën. Ndoshta bëjnë ndonjë zgjedhje”, shprehet Bislim Ademi- qytetar.
“Nuk është deshtë me nejt duarkryq kur është sezoni i verës. Në dimër kur ka harxhime arsyetohet por sot janë të gjitha senet e reduktuar. U deshtë më herët me u përgatitë. Çfarë presim dimrin…”, thotë Fehmi Konjuhja – qytetar.
“Po shpresojmë që na bëjnë ndonjë zgjidhje se në dimër shumë problem. Nëse në bëhen reduktimet e rrymës është shumë vështirë se dikush ka në familje fëmijë, pleq etj. Tash edhe qirinjtë na kanë humbur se më herët kemi qenë më të përgatitur”, tha Fatmir Sopi- qytetar.
Lidhur më gjendjen e krijuar në sistemin energjetik, Komiteti teknik emergjent, pas dy takimesh gjatë së mërkurës, i ka rekomanduar KEK-ut që të sigurojë energjinë e nevojshme për t`i evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.
Në një komunikatë për media thuhet se kjo masë rekomandohet me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim me rrymë, që do të zgjasë deri më 25 gusht.