Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se veç kryeministrit Albin Kurti, edhe ish-presidenti Hashim Thaçi ka tentuar që përmes deklaratave publike ta nxjerrin në pah se vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka qenë politike dhe e organizuar nga Beogradi.
“Edhe kryeministri Kurti, edhe Presidenti Thaçi kanë tentuar që përmes deklaratave ta nxjerrin në pah se ajo vrasje ka qenë politike e organizuar nga Beogradi dhe me qëllime për të shtypur zërin opozitar serb në Kosovë. Avokati po ashtu përmendi edhe që kundër zotit Ivanoviq ka pasur edhe video edhe nga Lista Serbe edhe nga pushteti në Serbi, kjo ishte ideja ime që tentova, por nuk pata mundësi ta shfaq mendimin tim, të them që… Unë nuk thash që Presidenti Thaçi e ka amnistuar, e as kryeministri Kurti nuk e ka amnistuar për krime të luftës, por thash që të dy përmes deklaratave kanë dashur të tregojnë një të vërtetë për të cilën Serbia ka punuar vazhdimisht, dhe po vazhdon të shuajë zërat opozitarë”, tha ndër të tjera Raci në Rubikon.
Ai u sqarua duke thënë se nuk po tenton të mbajë anën e Oliver Ivanoviqit, ndërsa theksoi se regjimi në Serbi vazhdimisht punon në shuarjen e zërit opozitar serb në Kosovë.
“Në asnjë moment unë nuk tentova të mbaj anën e Ivanoviqit ose të një krimineli që u tha se ka marrë dënimin e merituar nga gjykatat e Kosovës. Por çka është e vërtetë është se avokati i përmendi dy periudha të angazhimit të Ivanoviqit në Kosovë. Dhe është mirë që avokati vetë, në bazë të përvojës që ka në këtë drejtim e bëri ndarjen e tij, dhe unë tentova me analizat e mia të nxjerr në pah që nuk është vetëm kryeministri aktual, por edhe ish-presidenti i Kosovës, janë angazhuar të nxjerrin në sipërfaqe regjimin serb që edhe sot punon ditë e natë të shuajë zërin opozitar serb në Kosovë sepse dëshiron që çdo gjë ta ketë nën kontroll përmes Listës Serbe”, theksoi Raci.