Rafael Nadal shpjegoi këtë të premte se do të tentojë të marrë pjesë në turneun e Wimbledon, Grass Slam, i cili do të zhvillohet mes 27 qershorit dhe 10 korrikut.Për këtë ai do të udhëtojë në Londër javën e ardhshme, për disa stërvitje të tjera.
Kujtojmë se menjëherë pas fitores në Roland Garros, tenisti shkoi për mjekim në këmbën e majtë, duke treguar se e ka luajtur të gjithë turneun me shumë dhimbje, përcjell GazetaBlic Sport.
Nadal ka një dëmtim kronik, sindromën Muller-Weiss, që shkakton deformimin e kockës së skafoit dhe ai tha pas finales së Parisit se nuk ishte në gjendje të vazhdonte të luante në kushtet e tij aktuale.
Trajtimi konsistonte në dy injeksione me radiofrekuencë në nervat e këmbës. Tenisti u rikthye në stërvitje të hënën e kaluar në bar në Country Club de Santa Ponsa, në Mallorca, ku bëri të ditur synimet e tij këtë të premte.