Derisa në sheshin e Tiranës, pranë godinës së qeverisë, u mbajt protestë kundër idesë së ‘’Ballkanit të Hapur’’ dhe vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim duke iu referuar qasjes së Sali Berishës si ”baltë e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”.
Derisa një komentuese shprehu mendimin e saj për zhvillimet për ‘’Ballkanin e Hapur’’ duke thënë se ”Atë që se arritën asnjë mbretëri serbe, po e realizon [Edi] Rama”, është ky i fundit ai i cili i ka replikuar, se kjo ide, ka qëllime pozitive.
“E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrish.
“E vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar”.
“E vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”, shkruan Rama./Gazeta Enigma/