Së fundmi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar idenë e krijimit të një shteti Bektashi në Shqipëri.
Lidhur me këtë, Rama është përballur me një sërë reagimesh në opinionin publik, me ç’rast edhe ky ka zgjedhur të përgjigjet ndaj këtyre reagimeve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se ka ardhur koha që kjo ide të vihet në jetë, pasi sipas tij është në harmoni të plotë me interesin kombëtar.
Ai i ka ftuar kundërshtarët e kësaj ideje që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhrit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri.
Sipas Ramës “nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.”
Tutje kryeministri ka theksuar se “ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”. /Gazeta Enigma