Rama: Macroni më tha që s’ia heq vizat Kosovës nëse s’e pranon planin franko-gjerman

Rama: Macroni më tha që s’ia heq vizat Kosovës nëse s’e pranon planin franko-gjerman

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mesazhi i presidentit francez, Emmanuel Macron, i dhënë në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, duhet marrë shumë seriozisht nga lidershipi i Kosovës.

Në emisionin “Opinion” të televizionit Klan, Rama tha se Macroni po ndjehet i lënduar nga mos-realizimi i premtimeve të Kosovës.

“Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por ndoshta pak më shumë se të tjerët. Ai është vetvetiu i lënduar me faktin që, edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz, për të vënë në tavolinë planin franko-gjerman, që është opsioni më i mirë në këtë fazë të historisë së Kosovës, dhe duke diskutuar më tha që ‘unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman’”.

“Hapja rrugë nënkuptonte vizat”, theksoi Rama.

“Ishte shumë e qartë, dhe ajo që është shqetësuese është që edhe figura publike, edhe profile false me nxitje nga figura publike u hodhën në sulm ndaj tij dhe ndaj meje, thua se e bëra unë atë deklaratë. Thua se unë e kam gjithë fuqinë t’i them presidentit francez se duhet të bësh këtë a atë. Por i këshilloj ata që ta lexojnë mirë ata që e tha, sepse foli për disa javë në vazhdim, që janë javë oportuniteti. Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur sepse nuk mund të merret peng e gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, për t’i bërë karshillëk një përpjekjeje të tyre shumë, shumë të vendosur për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar, angazhimi bashkësisë ndërkombëtare dhe arsyeja pse pastaj i gjithë ky reagim “që nuk është vetëm i Macronit, por i gjithëve, negativ ndaj refuzimit të këtij angazhimi, ka të bëjë me faktin që ata janë investuar për Kosovën, jo për Serbinë”.

“Sepse të investohesh në zgjidhjen e këtij problemi është për Kosovën, sepse Serbia mund të mos jetë fare e interesuar që ky problem të zgjidhet, mund të jetë e interesuar ta zvarrisë në përjetësi, dhe për sa kohë ata i kanë vënë në tavolinë Kosovës një plan ku është njohja de fakto nga Serbia, nuk arrijnë të kuptojnë këtë absurditet, dhe e dyta, pse ata janë kaq kërkues ndaj Kosovës është sepse ata mendojnë, me shumë të drejtë, që Kosova duhet të bëjë pjesën e saj dhe t’ia lërë atyre pastaj të merren me Serbinë”, u shpreh kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama.

Rama tha se në procesin dialogues, pala e interesuar për të dalë nga kjo situatë është Kosova. Prandaj, thotë ai, “Kosova duhet ta bëjë unilateralisht pjesën e vet” e të mos merret me atë se çfarë po bën Serbia.

Sipas tij, plani franko-gjerman është ideal për Kosovën në aspektin e pragmatizmit politik. Ai thotë se ideale do të ishte “që Serbia të shtrihet për toke, të kërkojë falje, të paguajë dëmshpërblime”.

“Kjo është ideale, por në një botë që nuk ekziston”, deklaroi ai.

Por thotë se me planin franko-gjerman, që tashmë quhet Plani Evropian, është edhe koha ideale që Kosova të çlirohet përfundimisht nga Serbia dhe të formësojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

“Shqetësimi ‘do të radikalizohet a s’do të radikalizohet në Serbi’, këtë le ta zgjidhin ata me Serbinë. Shqetësimi që duhet ta ketë Kosova është që topin të mos e mbajë te zona e vet duke luajtur në mbrojtje gjithë kohës, dhe pastaj duke u përpjekur të përfitojë nga marrëzitë e Serbisë, por ta marri topin dhe ta heqi nga pjesa e vet e të thotë se ne i bëmë detyrat tona”.

Ai tha se oportuniteti aktual për Kosovën është i artë dhe shton se është fatkeqësi të mos shihet kjo nga pala kosovare.

Ndër të tjera, Rama u pyet nga Blendi Fevziu edhe për raportet e tij me Kurtin, duke e pyetur se “nga ju buron kjo mëri, ky nervozizëm me Albin Kurtin”.

“S’kam asnjë nervozizëm me të. Janë muhabete koti. Emri i tij u përmend vetëm një herë, dhe mund ta përmendësh disa herë dhe mund të flas me shumë kënaqësi për Albinin, sepse ka shumë gjëra Albini… Po më pyet për një çështje shumë më të madhe se Albini e se unë, për rastet ideale, të arta, historike, që ti të kapësh një tren që mendon se e ke aty gjithmonë… nuk e kap, dhe pastaj ti mbetesh dhe treni ikën… këso situatash nuk vijnë çdo ditë. Dhe për këtë arsye unë jam pasionant kur flas për këtë, sepse në ndërkohë jam shumë i informuar se çfarë dinamikash ka në anën e komunitetit euroatlantik, jam shumë i informuar se si e shohin ata, dhe pa ata Kosova e Shqipëria nuk bëjnë dot asnjë hap”.

Në vazhdën e raportit Rama-Kurti u prek edhe vendosja e tyre në tribunat e stadiumit “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri-Çeki.

Rama ishte një kat më poshtë se Kurti në tribuna, por kryeministri shqiptar tha se nuk ka qenë i informuar se homologu i tij nga Kosova do të jetë në stadium.

“Unë nuk merrem me organizimin e protokollit. Kisha tre vendet që kisha vet, dhe u ula aty. Dhe në ndërkohë, në atë boksin e veçantë (protokolli nuk më ka treguar se vjen Albini) ishte jo vetëm Albini, por edhe një pjesë e qeverisë së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ishin atje lart”, deklaroi Rama.

Tutje, në intervistë u prek edhe raporti i tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe mospjesëmarrja e tij në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. “Raportet me Vuçiqin janë siç kanë qenë gjithmonë, raporte të drejtpërdrejta. Shkoi në Kinë sepse ishte një takim i madh që kishte me Kinën. Unë e di cili është pozicioni i Serbisë dhe cilat janë aleancat e Serbisë… ajo që nuk kuptojnë shumë njerëz që e bëjnë këtë diskutim absurd është që presidentin e Serbisë nuk e kam zgjedhur unë, dhe nuk e kam vendosur unë Serbinë atje në kufi lart matanë bjeshkëve tona, dhe unë di që paqja nuk bëhet me shokët, por me armikun dhe nëse Serbia ishte armiku i deridjeshëm dhe është sot një oponent agresiv i Kosovës, paqja me ata bëhet, jo me Itali. Nuk duhet harruar asnjë sekondë: çdo kthim mbrapa i procesit të dialogut dhe paqes, është në dem të Kosovës, jo të Serbisë. Serbia i ka marrë dëmet e veta të mëdha, të plota, sepse e ka humbur luftën. Dhe ky është një proces dinamik, dhe ata që futën 5 milionë armatime (duke iu referuar grupit terrorist serb që vranë policin Afrim Bunjaku, shën.red.) dhe që bënë atë krim që bënë, falë policisë së Kosovës morën përgjigjen më të drejtë dhe më të merituar, dhe ai proces duhet të kalojë në stadin e një hetimi të plotë, dhe në bazë të hetimit dhe fakteve, komuniteti euroatlantik duhet të ndëshkojë të gjithë ata që janë të lidhur, nëse rezultojnë të lidhur me atë ngjarje. Por në ndërkohë, marrja e flamurit të zgjidhjes, hipja në kalin e paqes, dhe lufta për t’ia marrë Serbisë në këtë udhëkryq atë që duam t’i marrim, nuk duhet lënë asnjë sekondë”, potencoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 

Related Articles