Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim në Odën e Kryeqytetit grupin Shkodra Elektronike, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në edicionin e sivjetmë të Eurovizionit.
“Mirëprita në Odën e Kryeqytetit grupin Shkodra Elektronike, krijues të një muzike që tejkalon kufij dhe e bën krenar secilin prej nesh. Në shenjë simbolike, u dhurova edhe Hyjneshën në Fron, një figurë që mishëron shpirtin tonë krijues”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
“Energjia e tyre, origjinaliteti dhe fuqia artistike janë frymëzim për të gjithë ata që e duan artin si formë identiteti”, u shpreh tutje Rama.
“Kryeqyteti është gjithmonë hapësirë e mirëseardhjes për artin që flet me zemër”, deklaroi në fund i pari i Prishtinës.