Në nisje të episodit të 9-të të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama ritheksoi qëndrimin e tij për animimin e bërë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra e ministres Belinda Balluku.
Ai u shpreh se ankimimi që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike dhe as kundërvenie ndaj drejtësisë.
Ndër të tjera, teksa i referohej “arrestit shtëpiak” të drejtorit të ARRSH dhe drejtorit të KESH-it, Rama tha se “paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri”.
“Edhe njëherë dua të ritheksoj qëndrimin tim lidhur me domosdoshmërinë e moscenimit të parimit themelor të ruajtjes së balancës mes pushteteve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë.
Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykate, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike.
Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet që mund të bëhen të pallogaritshme.
