Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas fjalëve përfundimtare që dhanë ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor ndaj tyre në Hagë.
Rama ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, fjalimin e Hashim Thaçit të bërë sot në fjalën përmbyllëse të tij në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Krahas videos, Rama ka shkruar një mesazh të shkurtër: “Liria ka emër”.
Kujtojmë se kryeministri shqiptar të martën në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, ndau bisedën emocionale që kishte zhvilluar përmes telefonit me ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, ‘Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!’”, shkroi Rama.
Reagimi i tij vjen menjëherë pas përfundimit të fazës së deklarimeve përfundimtare në gjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, proces që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.
Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt, pas gati tri vjetëve.
