Gjilani ka humbur derbin e dytë sezonal ndaj Dritës, kësaj radhe me rezultat minimal 1-0.
Ka qenë një ndeshje shumë interesante me raste të mira shënimi, por në fund bardhekaltërtit shënuan fitore që i dërgon ata në krye të tabelës.
Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani tha se kishin raste për ta fituar derbin, por nuk ia dolën dhe se është i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij.
“Në derbin të cilin e humbëm thellë, nuk kishim asgjë. Ajo humbje pati ardhur për shkak se ishim më të dobët se Drita. Sot kishim rastet për ta fituar derbin, por që nuk ia dolëm”.
“Jam i kënaqur me angazhimin, ndonëse fillimi nuk ishte i mirë. Nuk duhej ta nisnim ndeshjen ashtu, duhej ta kishim freskinë dhe posedimin e topit”.
“Nuk e nënvlerësuam aspak këtë derbi. U futëm me lojtarët më të mirë që i kemi në dispozicion, nuk ia dolëm dhe ashtu siç shkuan punët, do të kënaqeshim edhe me një pikë”.
“Kemi për tre ditë edhe një ndeshje të vështirë. Por, ne jemi rrugës për në Evropë, jemi brenda objektivit. Nuk jemi komod, por jemi më të qetë”, ka thënë Ramadani pas ndeshjes.